Përfaqësuesja e Kosovës nuk është një kafshatë e lehtë për t'u kapërdirë. Kështu mendon ish-kampioni i Europës, Antonin Panenka i cili ka paralajmëruar Sllovakinë për ndeshjen që i pret në shtëpi, të vlefshme për gjysmëfinalet e play-offit, në kuadër të kualifikimit për Kupën e Botës 2026.
Sipas çekosllovakut, Kosova duhet të merret seriozisht për cilësitë që ka në organikë dhe jo të anashkalohet, pasi në të kundërt, misioni i Sllokavisë për t'u kualifikuar do të mbetej thjesht një ëndërr.
"Kujdes nga Kosova. Nuk duhet nënvlerësuar. Ekipet ballkanike kanë në përbërje futbollistë me cilësi vërtetë të larta. Janë gjaknxehtë dhe luftojnë shumë për të marrë më të mirën e mundshme", tha fillimisht Panenka.
I njohur edhe për nofkën që i është vendosur stilit të goditjeve të penalltisë duke u bërë një fenomen global në futboll, ish-kampioni europian theksoi se vendi ku luhet takimi mund të jetë përcaktues për të dyja këto skuadra.
"Avantazhin e kanë sllovakët sepse luajnë në shtëpi, por dhe Kosova ka rëndësinë e saj pasi lojtarët tregojnë shpirt luftarak dhe përkushtim. Sigurisht, do t'i mbaj gishtat të kryqyëzuar", përfundoi ish-kampioni.
