Një deklaratë e presidentit Refik Halili ka bërë që të gjithë mediet në vend të vihen në lëvizje, sigurisht duke mos interpretuar atë që kreu i bardhebluve ka thënë, por është transformuar në mediet e shkruara, por edhe në ato vizive.
Kështu ka ndodhur edhe me televizionin ABC News, teksa mbrëmjen e djeshme moderatori Gert Çarçani i emisionit "Pressing", u shpreh se kreu i klubit të Tiranës e kishte me arbitrat pas humbjes 2-1 kundër Partizanit.
Megjithatë e vërteta është krejt ndryshe dhe kjo shihet edhe në fjalën e presidentit bardheblu, i cili tregon se e ka me të tijtë duke i mëshuar faktit se nga gabimet e tyre janë humbur rreth 20 pikë, në këtë edicion të Superiores.
Madje ai përmendi edhe golin e dytë të të kuqve, teksa Erald Çinari përfitoi nga dalja e gabuar e portierit Alesio Abibi. Por, kjo është keqkuptuar dhe në panelin e emisionit sportiv u analizua si një deklaratë e Halilit kundër arbitrave.
Megjithatë ditën e sotme, duket se në ABC News e kanë kuptuar gabimin e bërë dhe kanë bërë një kronikë të posaçme për derbin e zhvilluar dy ditë më pas. Por, sërish bien në sy titrat e zgjedhura për kronikën ku shkruhej: "Akuzat janë për gabimet e lojtarëve". Ndërkohë që kreu i bardhebluve, Refik Halili nuk ka ndryshuar asgjë nga deklarata e post-ndeshjes. Thjeshtë ajo që tha pas takimit është interpretuar në dy variante.
Sot, ABC News ka zgjedhur të tregojë atë të vërtetin, kur në fakt e vërteta ishte që atë ditë pas sfidës, por sigurisht duke ditur të interpretohet siç duhet deklarata e presidentit Halili.
"Tani s'dua të ngacmoj askënd, por fakti është se nga episodet siç ishte rasti i sotëm (I referohet golit të dytë të Partizanit, ku portieri Abibi bëri dalje të gabuar), ne kemi humbur shumë pikë. Janë gati 20 pikë të humbura.
Federata ndikon në gjendjen e Tiranës? S'ka lidhje Federata me këtë. Fati nuk desh ndoshta, ky është kismeti. Shpresojmë që ne në të ardhmen të ndryshojmë. Kastriotin s'e kam frikë fare. Është 0 për mua, s'ka asnjë problem fare", ka deklaruar Halili pas takimit.
Si u bë "qimja tra"? Ja në këtë mënyrë. Por, e rëndësishme është që kreu i 24-herë kampionëve të Shqipërisë e gjen fajin brenda familjes dhe jo jashtë saj, duke shuar në këtë mënyrë polemikat e stisura nga mediet në vend.
